Në kohën që Bahá’u’lláh-u ndërroi jetë, mëse një shekull më parë, më 1892, në botë kishte ndoshta 50.000 Bahá’í. Besimi ishte përhapur në shumicën e vendeve e të territoreve të Lindjes së Mesme dhe të nënkontinentit Indian. Megjithatë, në Evropë, në Amerikë, në Afrikën sub-Sahariane, në Australazi dhe në pjesën më të madhe të Azisë, Bahá’u’lláh-u dhe mësimet e Tij ishin të panjohur.
Sot, Besimi Bahá’í është feja e pavarur më e përhapur gjeografikisht pas Krishtërimit, me komunitete në të paktën 205 vende e territore të varura kryesore. Në botë ka më tepër se pesë milionë Bahá’í, një rritje njëqindfish në 100 vjet.
Historia e kësaj rritjeje e shtrirjeje është e lidhur ngushtë me dy figura kryesore në Besimin Bahá’í: ‘Abdu’l-Bahá-in dhe Shoghi Effendi-un, që e kryesuan Besimin njëri pas tjetrit pas vdekjes së Bahá’u’lláh-ut më 1892.
Siç është vënë në dukje në rubrikën e mëparshme, qeverisja e Besimit Bahá’í është në duart e organeve të zgjedhura në mënyrë demokratike. Arritja e qëllimit të Bahá’u’lláh-ut, në këtë drejtim, është bërë me punën e këtyre dy prijësave trashëgimtarë. Roli që ata kanë luajtur në ruajtjen e unitetit thelbësor të Besimit Bahá’í nuk ka shoq në historinë fetare.
Çështja e trashëgimisë fetare ka qenë vendimtare në të gjitha Besimet. Moszgjidhja e kësaj çështjeje ka çuar në mënyrë të pashmangshme në përçarje të vazhdueshme. Sot ka më shumë se 2.000 sekte të Krishtërimit, 1.000 ose më shumë në Islamin dhe fraksione të ngjashme në Hinduizmin, Budizmin dhe Judaizmin. Shumë prej këtyre sekteve lindën për shkak të mosmarrëveshjeve për çështjen se cili kishte në analizë të fundit autoritetin për interpretimin e vargjeve të shenjta.
Bahá’u’lláh-u u doli përpara përçarjeve në besimin Bahá’í, nëpërmjet një mjeti në dukje të thjeshtë: një testamenti. Në atë testament, Bahá’u’lláh-u jo vetëm caktoi djalin e tij të madh për ta zëvendësuar, por i kaloi Atij kompetencë të qartë për të interpretuar shkrimet e Tij dhe për të qenë strumbullari i bashkimit të komunitetit.
‘Abdu’l-Bahá-i: Mjeshtri
Në retrospektivë, del qartë se qysh në fillim Bahá’u’lláh-u e kishte përgatitur me kujdes ‘Abdu’l-Bahá-in për ta zëvendësuar. Ky lindi më 23 maj 1844, pikërisht natën e deklarimit të Báb-it. Si fëmijë, ai vuajti së bashku me Atin e Tij gjatë kohës së persekutimeve të para kundër Bábí-ve.
‘Abdu’l-Bahá-i ishte tetë vjeç kur Bahá’u’lláh-un e hodhën në burg. Ai e vizitoi Atë dhe i pa qaforen e hekurt e zinxhirët rreth qafës së Atit të Tij.
Kur u rrit, ‘Abdu’l-Bahá-i u bë shoku më i ngushtë i Atit të Tij dhe kryente për Të shumë detyra të rëndësishme. Ai, për shembull, bisedonte paraprakisht me vizitorët e shumtë që vinin për të takuar Atin e Tij dhe e mbronte Atë nga pengesat e kota ose keqdashëse në punën e Tij.
Në Akka, kur pothuajse tërë grupi i Bahá’í-ve atje u sëmur nga tifoja, malarja e dizanteria, ‘Abdu’l-Bahá-i lante, përkujdesej dhe ushqente pacientët, pa pushuar fare për Vete. Më në fund, i rraskapitur, Ai u sëmur edhe Vetë dhe ndodhej në gjendje kritike për afro një muaj.
Këto cilësi të vetmohimit, të erudicionit e të përulësisë së madhe, krahas admirimit të dukshëm të vetë Bahá’u’lláh-ut për Të, shpejt merituan për ‘Abdu’l-Bahá-in titullin e “Mjeshtrit”. Ky është një term që ende përdoret sot nga Bahá’í-të kur i referohen ‘Abdu’l-Bahá-it.
Me gjithë kushtet e qarta të vullnetit e të testamentit të Bahá’u’lláh-ut, disa të afërm ziliqarë u përpoqën të uzurponin pozitën e ‘Abdu’l-Bahá-it pas vdekjes së Bahá’u’lláh-ut. Përpjekje të përsëritura u bënë nga këta individë ambiciozë për të formuar një rrymë të tyren.
Eshtë kuptimplotë, duke pasur parasysh zhvillimin e shpejtë të përçarjeve në fetë e tjera botërore, që asnjë prej grupeve disidente nuk ka qenë në gjendje të mbahej vetë ose të krijonte një ndarje në Besimin Bahá’í. Më në fund, çdo grup është shpërbërë me vdekjen e udhëheqësit që ishte përpjekur ta ngrinte atë dhe asnjë sekt ose emërtim nuk ka mbijetuar. Bahá’í-të ia atribuojnë këtë unitet fuqisë së “Besëlidhjes”.
‘Abdu’l-Bahá-i gjithashtu ka luajtur një rol kyç në shpjegimin e vizionit botëpërfshirës të Atit të tij me terma që mund t’i kuptonte bota Perëndimore, arritje kjo që ka shpejtuar shumë shndërrimin e Besimit Bahá’í nga një lëvizje e vogël e Lindjes së Mesme në një fe mbarëbotërore, siç është sot.
Pas vdekjes së Atit të Tij, ‘Abdu’l-Bahá-i mbeti i burgosur i Perandorisë Otomane. Me anë letrash dhe përmes kontaktesh të drejtpërdrejta me besimtarë të hershëm Perëndimorë që udhëtonin në Palestinë, Ai udhëhoqi përhapjen e Besimit tej Lindjes së Mesme.
Pas revolucionit të Xhonturqve, ‘Abdu’l-Bahá-i u la i lirë të udhëtonte. Në gusht 1911, Ai u largua nga Toka e Shenjtë për një vizitë katërmujore në botën Perëndimore, duke qëndruar në Londër e Paris. Atje u takua me besimtarë të hershëm Perëndimorë dhe zhvilloi biseda të përditshme për Besimin Bahá’í e parimet e tij.
Pranverën tjetër, ‘Abdu’l-Bahá-i nisi një turne njëvjeçar, përsëri në Evropë dhe më pas në Shtetet e Bashkuara e në Kanada. Vizita stimuloi shumë përhapjen e Besimit Bahá’í në këto dy vende.
Gjatë vizitave në më shumë se 40 qytete në Amerikën e Veriut, Ai u përshëndet me respekt e entusiazëm nga besimtarët dhe po kështu nga jobesimtarë. Qytet pas qyteti, ai u ftua të fliste në kisha e sinagoga, si dhe para grupesh e organizatash të shquara.
Rezultati i qartë ishte ngritja e Besimit Bahá’í si një forcë e re e rëndësishme për reforma shoqërore e për ripërtëritje fetare. Mesazhi i Bahá’u’lláh-ut - me thirrjen e tij të fuqishme për një shoqëri njerëzore të re e paqësore - u shpall në botën e industrializuar, dhe një gjeneratë e re besimtarësh të vendosur u shtua.
‘Abdu’l-Bahá-i hartoi një plan, që vazhdon edhe sot e kësaj dite, për ndërkombëtarëzimin e Besimit. Në një seri letrash për besimtarët në Amerikën e Veriut, Ai u kërkonte atyre të shpërndaheshin anembanë botës për të shpallur Besimin Bahá’í dhe parimet e tij.
Me shpërthimin e Luftës I Botërore ‘Abdu’l-Bahá-i u kthye në Tokën e Shenjtë. Në fjalimet e Tij në Perëndim Ai kishte paralajmëruar për konflagracionin që po afrohej dhe kishte folur pareshtur për nevojën e krijimit të ndonjë forme konfederate botërore që do të mund ta parandalonte një luftë të tillë.
Gjatë luftës, ‘Abdu’l-Bahá-i e kaloi kohën duke vepruar sipas parimeve që Ai dhe Ati i Tij kishin predikuar. Ai organizoi personalisht, për shembull, një projekt të gjerë bujqësor pranë Tiberias, i cili siguroi një burim të rëndësishëm gruri për krahinën dhe ndihmoi për të shmangur zinë e bukës në atë zonë. ‘Abdu’l-Bahá-it iu dha titulli i Kalorësit nga Qeveria Britanike pas luftës.
Më 28 nëntor 1921, ‘Abdu’l-Bahá-i ndërroi jetë qetësisht në gjumë.1 Mijëra njerëz të besimeve, kombësive e shtresave të ndryshme morën pjesë në funeralin e Tij, për t'i dhënë lamtumirën e fundit Atij që kishte qenë frymëzuesi, ngushëlluesi dhe gëzimi i jetëve të tyre.
Megjithëse vdekja e ‘Abdu’l-Bahá-it shënoi një humbje të thellë për besimtarët Bahá'í, një epokë e re do niste, nën drejtimin dhe udhëheqjen e Shoghi Effendi-ut, i përcaktuar në Vullnetin dhe Testamentin e ‘Abdu’l-Bahá-it si Ruajtësi i Besimit dhe Boshti i Besëlidhjes.