Qendra Kombëtare Bahá’í, Rr. Dibrës nr. 59, Tiranë

 

Besimi Bahá'í
Figurat Qendrore
Parimet Kryesore
Shkrimet e Shenjta Bahá'í
Qendra Botërore Bahá'í
Kontaktoni me Ne
Faqja Kryesore

 

 

 

Shtëpia e Adhurimit Bahá'í pranë Frankfurtit, Gjermani

Shtëpia e Adhurimit Bahá'í përballë Panama Siti, Panama

Shtëpia e Adhurimit Bahá'í në Kampala, Ugandë

Shtëpia e Adhurimit Bahá'í në Apia, Samoa Perëndimore

Obelisku mbi Malin Karmel, që shënon vedin ku në të ardhmen do të ngrihet Shtëpia e Adhurimit në Haifa, Izrael

Komuniteti Bahá'í i Shqipërisë

Mirësevini në hapësirën zyrtare të Bahá'í-ve të Shqipërisë

 

Ku luten Bahá'í-të

Shtëpitë e Adhurimit Bahá'í - fenerë shpirtërorë për njerëzimin

Si vend mbledhjesh për lutje e përsiatje, Shtëpitë e Adhurimit Bahá'í janë godinat fetare që i afrohen më shumë rolit të kishës, të tempullit ose të xhamisë. Megjithatë ato janë gjithashtu diçka më tepër. Sipas vizionit të Bahá'u'lláh-ut, Shtëpitë lokale të Adhurimit do të jenë një ditë vatrat e jetës shpirtërore të komunitetit dhe një shprehje e qëllimit të tij humanitar.

Deri tani janë ndërtuar shtatë Shtëpi Adhurimi, të paktën një në çdo kontinent, një shenjë e përparimit global të Besimit. Në fazën e tanishme të zhvillimit të Besimit, Bahá'í-të janë përqëndruar në krijimin dhe zhvillimin e institucioneve shoqërore e shpirtërore të jetës së komunitetit, sesa në ngritjen e godinave fizike në çdo komunitet. Megjithatë, ato shtëpi adhurimi që janë ndërtuar qëndrojnë si fenerë, që i bëjnë thirrje botës për një mënyrë të re adhurimi e jete fetare.

Çdo tempull ka pamjen e vet të veçantë, e megjithatë i përgjigjet një numri kërkesash arkitekturore, që japin një temë unifikuese. Të gjitha Shtëpitë e Adhurimit Bahá'í duhet të kenë nëntë anë dhe një kube qëndrore.

Shtëpia e parë e adhurimit u ndërtua në Rusi, në qytetin Ashkhabad, në Azinë Qendrore. E përfunduar rreth vitit 1908, Shtëpia e Adhurimit në Ashkhabad i shërbeu komunitetit Bahá'í të asaj krahine deri më 1938, kur trualli i saj u shtetëzua nga Qeveria Sovjetike. Godina u shemb më 1962 pasi u dëmtua nga një tërmet. Shtëpia e Adhurimit në Ashkhabad në shumë drejtime ishte para kohës së vet. Përveç që shërbente si qendër shpirtërore për komunitetin Bahá'í që lulëzonte në atë krahinë, ajo ishte një shprehje praktike e ideve humanitare të komunitetit. Ngjitur me të ishin një numër godinash ndihmëse, duke përfshirë një spital, një shkollë dhe një bujtinë për udhëtarët.

Shtëpia e parë e Adhurimit në Perëndim u përfundua më 1953 në Uilmet [Wilmette], Ilinois, Sh.B.A., në brigjet e Liqenit Miçigan, pak në veri të Çikagos. Kubeja e saj me filigran dhe ornamentet e jashtëzakonshme kombinojnë tipare të nxjerra nga stilet arkitekturore të Lindjes e të Perëndimit dhe ajo ka tërhequr gjatë viteve miliona vizitorë. Të tjera Shtëpi Adhurimi Bahá'í u ndërtuan më pas në Kampala, Ugandë; pranë Sidnejt, Australi; në rrethinat e Frankfurtit, Gjermani; në një lartësi përballë Panama Siti, Panama; dhe në Apia, Samoa Perëndimore.

Më e reja Shtëpi Adhurimi - më e reja deri në kohën e këtij shkrimi - u përfundua më 1986 në Nju Deli, Indi. Që nga përurimi i saj më 1986, Shtëpia e Adhurimit Bahá'í në Nju Deli ka fituar famë në mbarë botën për strukturën e saj arkitekturore të guximshme e novatore. Ajo është bërë gjithashtu një prej vendeve më të vizituara në Indi. Që nga ajo kohë, kjo godinë ka fituar çmime të shumta arkitekturore dhe është nxjerrë në qindra artikuj gazetash e revistash.

E frymëzuar nga lulja e lotusit, struktura e saj përbëhet prej 27 petalesh të hapura, të veshura me mermer të radhitura në grupe treshe formojnë nëntë anë. Nëntë dyer çojnë në sallën qëndore, që mund të mbajë deri në 2.500 vetë. Pak më shumë se 40 metra i lartë, me sipërfaqe të ndritshme, tempulli nganjëherë duket sikur qëndron pezull mbi truallin e vet prej 26 akrash në rrethinat e kryeqytetit indian. Brenda një kohe të shkurtër prej pak vitesh, tempulli i Nju Delit është bërë një nga atraksionet më të mëdha të botës, që tërheq mbi dy milionë e gjysmë vizitorë në vit. Në ditët e kremte hindu, ai ka tërhequr gjer në 100.000 vetë - kaq i nderuar është tempulli Bahá'í nga njerëzit e Indisë, cilado qoftë prejardhja e tyre fetare.

Me të vërtetë, të gjitha Shtëpitë e Adhurimit janë të hapura për njerëz të çdo feje. Atje nuk ka predikime, rite ose kler. Në gjithë botën, deri tani janë rezervuar mbi 120 vende për Shtëpitë e ardhëshme të Adhurimit. Në të ardhmen, çdo komunitet Bahá'í do të ketë Shtëpinë e vet të Adhurimit. Ashtu si e para në Ashkhabad, secila prej tyre do të bëhet qendra e jetës së komunitetit, si dhe një qendër për shërbime shoqërore, shkencore, edukative e humanitare.1

Nëse dëshironi të gjeni lutje për leximin tuaj vetjak e për familjen, për raste e situata të ndryshme, mund të dëshironi të vizitoni linkun vijues me Lutje Bahá'í në shqip

 

 

 

 

 

 

_____________________________________________

1. Revista "Bahá’ítë", botimi shqip.

_____________________________________________

 

******************

I bekuar është trualli,

dhe shtëpia, dhe vendi,

dhe qyteti, dhe zemra,

dhe mali, dhe streha,

dhe guva, dhe lugina,

dhe toka, dhe deti,

dhe ishulli, dhe livadhi,

ku emri i Perëndisë është përmendur dhe lëvdata e Tij është lartësuar.

– Bahá'u'lláh

 

Shtëpia e Adhurimit Bahá'í në Ashkhabad, Rusi

Shtëpia e Adhurimit Bahá'í në Uilmet, Ilinois, SH.B.A

Shtëpia e Adhurimit Bahá'í në Nju Delhi, Indi

Shtëpia e Adhurimit Bahá'í në Sidnej, Australi

Maket i Shtëpisë së Adhurimit Bahá'í që po ngrihet në Kili

*******************

* * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * *

Lutje për Unitet

"O Ti Dhënësi! Dëshira më e shtrenjtë e këtij shërbëtori të Pragut Tënd është të sodisë miqtë e Lindjes e të Perëndimit të përqafuar fort; të shohë të gjithë pjesëtarët e shoqërisë njerëzore të mbledhur me dashuri në një kuvend të madh të përbashkët, ashtu si pikat e veçanta të ujit mblidhen në një det të gjerë; t'i sodisë të gjithë ata si zogjtë në një kopsht trëndafilash, si margaritarë të një oqeani, si gjethe të një peme, si rreze të një dielli. Ti je i Fuqishmi, i Pushtetshmi, dhe Ti je Perëndia i Forcës, Fuqiploti, Ai Që Sheh Gjithçka".

– ‘Abdu'l-Bahá

 

* * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * *

 

© Asambleja Shpirtërore Kombëtare e Bahá'í-ve të Shqipërisë -- 2007-2014